Panairi Dimëror i organizuar nga Delegacioni Europian në Shqipëri.

Projekti “Asistencë Teknike për Menaxhimin e Integruara të Mbetjeve Urbane në dy Bashkitë e Përzgjedhura” mori pjesë më datë 08 Dhjetor 2018 në Panairin Dimëror të organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. Në këtë panair ishin të pranishëm disa nga projektet më të rëndësishme të financuara nga Bashkimi Europian në vendin tonë.

Projekti “Asistencë Teknike për Menaxhimin e Integruara të Mbetjeve Urbane në dy Bashkitë e Përzgjedhura” ishte i pranishëm për të gjithë qytetarët e interesuar përmes një stende të ngritur enkas për këtë rast. Stenda u vizitua nga një numër i madh banorësh të Beratit, nga Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, zyrtarë të lartë të Delegacionit të Bashkimit Europian etj.

Eksperti i Projektit, Z. Redion Biba, diskutoi me të pranishmit mbi rëndësinë e menaxhimit të mbetjeve në vendin tonë duke vënë theksin tek fakti që pjesa më e madhe e mbetjeve të prodhojmë çdo ditë në banesat tona mund të kompostohen, riciklohen ose ripërdoren. Në këtë frymë përfaqësuesit e Projektit zhvilluan një seminar me temën “Çfarë mund të bëjmë për të jetuar një jetë më miqësore me mjedisin”. Fokusi i këtij seminari ishte si të ripërdorim mbetjet plastike duke i shndërruar në objekte të rëndësishme. Përmes shembujve të shumtë të pranishmit mësuan se si mund të transformojnë mbetjet plastike. Shembuj të tillë u prezantuan edhe në stendë përmes videove të ndryshme edukative.

Gjatë panairit ekspertët e projektit organizuan edhe një lojë edukative me fëmijët e pranishëm duke i edukuar fëmijët mbi rëndësinë e ndarjes së mbetjeve në burim në të paktën tre kategori kryesore Plastikë; Letër; Mbetje Organike. Në fund të lojës u 
shpërndanë disa dhurata për fituesit.